LEJE PËR VJEDHJE

Ore, ne Ohrin nuk mund ta shkatërrojmë mirë e mirë, assesi të na lërë UNESKO, ndërkohë kemi teptisur që t’i ruajmë kujtimet nga “Zllatno slavejçe”.

1 Vazhdon politika këmbëngulëse në Maqedoni që të shpërblehen hajdutët, ndërsa tatimpaguesit të dënohen.
Komisioni Evropian kërkon që në periudhë prej 30 deri në 45 ditë shteti të kthejë 2,2 milionë euro që janë keqpërdorur në kuadër të programit për arsim të BE-së “Erasmus plus” gjatë periudhës nga viti 2016 deri në vitin 2018. Kjo do të thotë se të gjithë ne, me rrogën e ardhshme mujore, duhet të kthejmë 2,2 milionë euro për të cilat Zyra Evropane për Luftë Kundër Mashtrimit OLAF ka gjetur sere parregullsish lidhur me grantet që u janë ndarë 22 përdoruesve.

Mashtrimi është paraqitur në prokurorinë maqedonase që në vitin 2019. Por për rastin nuk ka hetim. Ai është akoma në procedurë parahetimore.

Mjaft që ua paguajmë dëmet për rastet e vjetëruara kriminelëve të zbuluar, e tani do të na marrin para që të lajmë borxhet ndaj BE-së edhe për këta që BE-ja i ka kapur se vjedhin.

Prit pak. Le të frenojnë pak me përrallat për BE-në. Le të fillojnë të zbatojnë praktikat evropiane në shtëpi. Ata janë njerëz që kanë kryer këtë mashtim kanë emër, mbiemër, nënshkrim, vulë firme…Dihet se kush janë. Pse duhet ne të paguajmë për ta? Kjo është njëlloj si një buletin policor: Kanë gjetur vjedhësin, e dinë se kush është, e dinë se çfarë ka vjedhur dhe se sa dhe lajmërojnë se gjërat dhe paratë e vjedhura ia kanë kthyer pronarit.

Në këtë rast, zyra evropane për luftë kundër mashtrimeve i ka zënë. Nuk ka këtu hapësirë për të shitur mend në bazë standardeve maqedonase të drejtësisë. Parahetim, hetim, prokurori na qenkësh i BDI-së, gjykatësi na qenkësh i VMRO-së, por i afërt me LSDM-në, paska përkthim, nuk paska përkthim, po juristi ka dalë në pension, gjykatësi është sëmurë, gjykatësen e kanë avanaur, ose gjykimi ka filluar nga e para,  aktgjykimi ka humbur rrugës nga Gjykata e Apelit në atë Themeleoren…. Dhe – ja ku u vjetërua vepra, ndërkohë që BE-ja i kërkon paratë – tani.

Këtu është fundi i historisë. Nuk duhet që edhe ta dëgjojmë zv.kryeministrin Bojan Mariçiq se si na thotë: “ po kërkojmë mënyrë se si një pjesë e mjeteve të kthehen, ndërsa një pjesë të refuzohen nga projekte të ardhshme”. Del sikur BE-ja të jetë te ne me parapagesë. Na jepni më shumë para që t’ju kthejmë një pjesë të parave të vjedhura. E që t’ju kthejmë paratë e atyre që ju vodhën, do t’ua heqim paratë atyre që (ndoshta) nuk kanë qëllim të vjedhin.

Eh, të mundeshim evropianëve t’u paguanim me kompensim, e t’ua jepnim politikanët tanë, le t’u tregojnë atje për standarde evropaine, për luftën kundër korrupsionit, për qeverisjen e mirë dhe transparencën. Sa mirë – edhe do të shpëtonim prej tyre, edhe borxhin ndaj Komisionit Evropian do ta ulnim. Për fat të keq, asgjë nga biznesi. Del se sido që t’i biesh, prapë se prapë hajdutët janë në fitim.

2 Andaj dhe unë nuk e ndjek fushatën zgjedhore. Në momentin që shoh ndonjë politikan maqedonas në television, as nuk e dëgjoj se çfarë ka për të thënë. Menjëherë e ndërroj kanalin dhe shkoj te serialet dhe filmat kriminalistikë. Aty të paktën historia ka fund. Kriminelët i zënë dhe i gjykojnë. Te ne nuk ka fund. Edhe sikur ta kapin vjedhësin, do ta lëshojnë. Apo do t’i vjetërohet vepra. Apo do ta amnistojë shefi i shtetit. Dhe, edhe pse kundër tij janë bërë hetime dhe ka pasur procese gjyqësore, ai sërish mund të kandidohet për deputet. Madje edhe nëse është në listën e zezë të SHBA-së me dijeni serioze për korrupsion, prapë mund të kandidohet për kryetar të shteit. Dhe të jetë kryetar komune. Për më tepër që nëse fiton partia e tij, mund të na bëhet dhe ministër.
Për të gjithë ata nuk ka përgjegjësi penale, por ka përgjegjësi politike. A thua se është ndonjë gjë e madhe. E shoh se sa shumë u rëndon përgjegjësia politike. Nuk kanë zbritur nga ekrani e po na qeshin nga bilbordet.

Shikoni vetëm se sa vuajnë nga përgjegjësia politike të gjithë ata që i shihnim në sallat e gjykimit me vite e të cilëve Kuvendi ua vjetëroi veprat. Shumë janë munduar. Ja, për shembull, më së rëndi i bie përgjegjësia politike Nikolla Gruevskit. Jo sepse duhet të mësojë hungarishten që t’i ecë biznesi në Budapest. Por sepse nuk mund t’ia lejojë vetes të humbasë as edhe një festë pa na e uruar në Fejsbuk.

Në Maqedoni është vërtetuar se përgjegjësia e politikanëve përfundon në  ditën e zgjedhjeve. Atyre që i zgjedhim që të fitojnë në zgjedhje menjëherë u japim lejen për të vjedhur.

3 Pesëmbëdhjetë vjet flitet për nevojën për ta renovuar Sallën Universale të Shkupit. Salla filloi të rrënohet dhe është viti i nëntë që nuk funksionon. Vetëm sa filloi riskonstuimi – dhe ja – u dogj.
Tani, kur Salla Universale praktikisht nuk është më, le të provojmë të flasim për të pa emocionet për “kujtimet e shkatërruara të shkupjanëve dhe për “simbolin e shkatërruar të solidaritetit”.

Salla universale ishte objekt i montuar i ngritur pas tërmetit të vitit 1963. Shkupjanëve tani u pengon se pse u shkatërrua një objekt i montuar, por nuk u pengonte kur në vendin e barakave të montuara pas tërmetit lulëzonin ndërtesa që e shkatërruan strehimin në shtëpitë individuale. Edhe lagjet Kozle, Taftalixhe, Vllae, Vodno ishin simbol i solidaritetit. Ato lagje të cilat u bënë me donacione dhe plan për jetesë humane tanimë janë bërë të pabanueshme. Nuk ka mbetur asnjë lagje normale. Shtëpitë me nga një familje dhe një veturë që e parkonin në oborr tani u bënë ndërtesa me nga njëzet familje dhe të paktën po aq vetura të parkuara në rrugë. Kur u dogj Salla universale, të paktën tek ajo mund të kishte qasje Ndihma e Shpejtë dhe automjetet zjarrfikëse. Në lagjet e shkatërruara të Shkupit tani nuk mund të kalojë as furgoni i mbeturinave që t’ua mbledhë plehrat banorëve.

Andaj, më së miri është që shteti t’ia shesë tokën nën Sallën e djegur Universale “për hiçgjë”, dikujt prej atyre “investitorëve” dhe “biznesmenëve me prestigj” të preferuar edhe për qeverinë edhe për opozitën. Dhe “qyteti i bukur përsëri do të lulëzojë” me një invesitim për komunalet që do t’i mbulojë rrogat e administratës lokale. locale. Kjo do të jetë një ndërtesë shumë e bukur – kombinim pak sallë,  pak garazhë në kat, pak qendër tregtare dhe njëzet kate banesa dhe kopsht në bodrum.

Kur duhet të ndërtohet ndonjë e mirë publike, politikanët do të gjejnë një mijë arsyetime se përse nuk ndërtohet. Paska qenë kompetent ai apo ai tjetri, do të hapin debat, po çfarë do të thonë qytetarët, çfarë do të thotë elita profesionale, pastaj duhet leje nga komuna, leje nga Qyteti i Shkupit, leje nga shtetit, probleme me shpronësimin e tokës, çfarë do të thotë ky insitucion, po ai tjetri…E kur është në pyetje plotësimi i kënaqësisë së qeverisjes dhe investitorëve të tyre, atëherë nuk ka rëndësi se çfarë na thonë qytetarët, as se çfarë na thotë opinioni professional publik, as ekologët apo organizatat joqeveritare, atyre nuk u bëjnë përshtypje as protestat….Nëse është interes privat – nuk mund të jetë: Jo. Duhet të jetë: Po.

Panairin e Shkupit e shitëm për qendër tregtare dhe ndërtesa banimi. Vodnon e gërryem që ta ndërtojmë kulla babilonase. Shkupi është shkatërruar, ndërsa ne qajmë për barakën e madhe të montuar ku mbaheshin koncerte. Se, sido që ishte, ishte e veçantë.

Ore, ne Ohrin nuk mund ta shkatërrojmë mirë e mirë, assesi të na lërë UNESKO, ndërkohë kemi teptisur që t’i ruajmë kujtimet nga “Zllatno slavejçe”.

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира